Osmani takon Limajn për konsultime rreth konstituivit të Kuvendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në kuadër të konsultimeve politike për zgjidhjen e ngërçit institucional lidhur me konstituivin e Kuvendit të Kosovës.

Takimi u zhvillua pas një kërkese të dorëzuar nga Nisma Socialdemokrate, me qëllim të shkëmbimit të qëndrimeve rreth situatës aktuale politike dhe mundësive për tejkalimin e bllokadës që ka penguar funksionalizimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Zyra e Presidentes bëri të ditur se Osmani po vazhdon takimet me përfaqësues të subjekteve politike për të siguruar që procesi i konstituivit të Kuvendit të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe në frymën e bashkëpunimit institucional.

Ky takim vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë thelluar krizën dhe kanë rritur presionin për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjitha palët. /Kosova.info/


Go to TOP