Foshnja e gjetur e pajetë pranë deponisë në Prishtinë, KOMF kërkon urgjentisht hetim dhe masa parandaluese
Një ngjarje tronditëse ka tronditur opinionin publik në Prishtinë, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e pajetë pranë një deponie mbeturinash. Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar me dhimbje të thellë duke e cilësuar këtë si një tragjedi që kërkon përgjegjësi urgjente dhe ndërhyrje të thellë institucionale.
KOMF thekson se kjo ngjarje është një alarm i rëndë për gjithë shoqërinë dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë. “Asnjë foshnje nuk duhet të lindë në rrethana të pasigurta dhe mbi të gjitha nuk duhet të përfundojë në këtë mënyrë të tmerrshme”, thuhet në reagimin e tyre.
KOMF ka bërë thirrje për një hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent nga organet e rendit për të zbardhur rrethanat e rastit, identifikimin e personave përgjegjës dhe ndëshkimin e tyre sipas ligjeve në fuqi.
Gjithashtu, organizata kërkon vlerësim urgjent të funksionimit të mekanizmave mbrojtës dhe parandalues, që identifikojnë dhe mbështesin nënat në gjendje të rënduar sociale ose psikologjike, me theks të veçantë tek nënat e reja që shpesh mbesin të vetmuara dhe të painformuara për ndihmën që mund të marrin.
KOMF thekson nevojën për fuqizim të shërbimeve psiko-sociale, programeve të prindërimit, mbështetjes për shëndetin mendor dhe për fushata vetëdijesuese që promovojnë dinjitetin dhe jetën e çdo fëmije në Kosovë.
“Apelojmë për angazhim të menjëhershëm të institucioneve sociale, shëndetësore dhe të drejtësisë, në mënyrë që asnjë rast i tillë të mos përsëritet më,” thuhet më tej në reagim.
KOMF gjithashtu iu bën thirrje prindërve dhe qytetarëve që në rast vështirësish të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale në komunat përkatëse, ku mund të marrin mbështetjen e nevojshme.
Në përfundim, KOMF shpreh ngushëllimet më të thella për këtë humbje tragjike duke kujtuar se çdo jetë e fëmijës është e shenjtë dhe duhet të mbrohet me përkushtim të plotë nga të gjitha institucionet dhe shoqëria. /Kosova.info/
