Autoritetet sqarojnë: Peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum
Autoritetet kompetente në Republikën e Kosovës kanë sqaruar se peshku i llojit Merluc (hake), i cili importohet kryesisht nga Maqedonia e Veriut, hyn në vend të ngrirë në temperatura nën -18°C dhe i pajisur me certifikata shëndetësore nga autoritetet përkatëse.
Ky lloj peshku, i cili gjendet në tregun vendor, është i dedikuar ekskluzivisht për konsum pas përpunimit me trajtim të nxehtësisë, pra duhet të gatuhet para konsumit. Ai nuk është i përshtatshëm për konsum të gjendjes së freskët apo të shkrirë në forma të specialiteteve si “krudo” apo “sushi”, në rastet kur përmban parazitë.
Ky standard bazohet në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, i cili është i harmonizuar me rregulloret e Bashkimit Evropian. Konkretisht, rregullat janë të përcaktuara në Pikën D të Kapitullit III, të Seksionit VIII, të Shtojcës III të Rregullores Nr. 12/2011 “Për përcaktimin e rregullave specifike të higjienës së ushqimit me prejardhje shtazore”.
Konsumatorët këshillohen të ndjekin udhëzimet për përgatitjen e duhur të këtij produkti dhe të sigurohen që ai të mos konsumohet pa trajtim termik, për të garantuar sigurinë ushqimore. /Kosova.info/
