Festivali i Kanës, kinematografia shqiptare dhe kosovare në skenën botërore
Përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë në RTK, gazetarja Mirjeta Baraliu raportoi nga Festivalit i 77-të i Filmit në Kanë, duke sjellë detaje për mbarëvajtjen e kësaj ngjarje prestigjioze ndërkombëtare.
“Ka filluar dita e dytë e festivalit. Nata e parë ishte magjike – është interesante si gjatë festivalit qyteti i Kanës shndërrohet në një atmosferë të jashtëzakonshme. Është si një përrallë e bukur që krijohet nga energjia e 35 mijë profesionistëve të filmit që mblidhen në një vend”, u shpreh Baraliu.
Ajo theksoi se nata hapëse u karakterizua nga nderimi i aktorit të njohur Robert De Niro, i cili mori Palmën e Artë të Nderit, një çmim që iu dorëzua nga Leonardo DiCaprio – një tjetër figurë ikonike e kinemasë.
Pjesë e rëndësishme e festivalit është edhe prania e përfaqësuesve nga Kosova dhe Shqipëria në pavijonin e përbashkët të shitjes së filmave, i cili tashmë është i hapur për publikun dhe profesionistët e industrisë.
“Ky pavijon është një pikë takimi për kineastët tanë me ata ndërkombëtarë dhe një mundësi për të prezantuar projektet më të fundit të realizuara në Kosovë, me qëllim që të tërheqim bashkëpunime dhe xhirime të reja në vendin tonë’, theksoi Baraliu.
Në këtë edicion, regjisori kosovar Saimir Karahoda do të prezantojë projektin e tij të ri filmik, ndërsa regjisorja Kaltrina Krasniqi është në përgatitje të një filmi të ri. Në Kanë janë të pranishëm edhe artistë nga Shqipëria, të cilët do të prezantojnë veprat e tyre në këtë ngjarje me rëndësi botërore.
