Bajrami: Qeveria e Kurtit po mbron monopolin energjetik, rritja e çmimeve po godet qytetarët dhe bizneset
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj justifikimeve që po bëhen nga përfaqësues të Qeverisë së Albin Kurtit për rritjen drastike të çmimit të energjisë elektrike – 128% për qytetarët dhe 260% për bizneset prodhuese.
Sipas Bajramit, këta përfaqësues, që dikur i quanin shkelësit e Kushtetutës “superkriminelë”, sot po ngritën në këmbë për të mbrojtur vendimin që godet drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë vendore. Ajo theksoi se arsyetimet e tyre lidhen me rrëzimin e Ligjit për Çmimet Tavan nga Gjykata Kushtetuese, por shtoi se këto justifikime janë manipulime të neveritshme që dëshmojnë padije dhe abuzim me pozitën publike.
Bajrami rikujtoi se LDK-ja ka qenë dhe mbetet në mbrojtje të Kushtetutës, të ligjeve, të interesit qytetar dhe të ekonomisë së tregut. Ajo u shpreh se për dallim nga “servilët e Kurtit, që flasin kundër edhe diplomave të tyre për t’i shërbyer politikës së dëmshme qeveritare”, LDK e bën dallimin e qartë mes konkurrencës së lirë dhe monopolit.
Ajo zbuloi se deri më tani, pas hyrjes në fuqi të vendimit për daljen në treg të lirë nga 1 qershori, bizneset kanë marrë vetëm një ofertë për furnizim – nga KESCO – dhe ajo me çmim 260% më të lartë se ai aktual. “Ky është monopol i pastër,” theksoi Bajrami duke akuzuar qeverinë se po e favorizon mafien energjetike në dëm të qytetarëve dhe punëdhënësve më të mëdhenj në vend.
“Ne nuk e fshehim që jemi në mbrojtje të qytetarëve dhe të mbi 1300 bizneseve të mëdha në vend. Ata po përballen me rritje të çmimeve të energjisë dhe me një valë të re inflacioni që po afrohet. LVV ka zgjedhur të jetë kundër interesit të qytetarëve dhe bizneseve vendore,” deklaroi ajo.
Në fund, Bajrami sqaroi se LDK nuk ka pasur rol në privatizimin e distribucionit të energjisë duke kujtuar se në atë kohë ishte në opozitë. “Mimoza Kusari ka qenë pjesë e Komitetit ndërministror për privatizim, si zëvendëse e Hashim Thaçit dhe ministre e Tregtisë, ndërsa Armend Muja, sot deputet i VV-së, atëherë ishte pro qeverisë e kundër VV-së,” përfundoi Bajrami. /Kosova.info/
