LBK me apel të fuqishëm: Mjaft më me bllokada politike – Kosova po humb ekonomi, shpresë dhe partnerë ndërkombëtarë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka lëshuar një apel urgjent për veprim të menjëhershëm dhe me përgjegjësi shtetërore nga liderët politikë të vendit, për krijimin e institucioneve funksionale dhe rikthimin e stabilitetit institucional. Sipas LBK-së, vonesat e zgjatura në ndërtimin e institucioneve po dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit, po bllokojnë reformat dhe po ndikojnë negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

Në reagimin e saj, LBK thekson se mosfunksionimi i institucioneve shtetërore jo vetëm që krijon pasiguri për qytetarët dhe komunitetin e biznesit, por gjithashtu po zbeh besimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara në kapacitetin e Kosovës për të qeverisur me përgjegjësi. Si pasojë, vendi po përballet me bllokim fondesh ndërkombëtare, rënie të investimeve të huaja dhe stagnim të agjendës integruese euroatlantike.

“Çdo ditë e humbur në bllokadë politike përkthehet në humbje reale për ekonominë: mbyllje të bizneseve, rënie të punësimit, rritje të çmimeve dhe pasiguri të thelluar për të ardhmen. Qytetarët ndihen të braktisur – pa mbështetje, pa zhvillim, pa shpresë,” thuhet në reagim.

LBK apelon që partitë politike të lënë anash interesat partiake dhe të bashkohen për të ndërtuar një qeverisje funksionale, për të forcuar partneritetin me SHBA-në dhe BE-në, si dhe për të krijuar kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Në listën e shqetësimeve konkrete, LBK thekson:

1. Mungesën e një reforme fiskale gjithëpërfshirëse;

2. Realizimin e ulët të buxhetit për investime kapitale;

3. Bllokimin e fondeve nga BE dhe institucionet ndërkombëtare;

4. Mungesën e vizionit ekonomik dhe digjitalizimit;

5. Vendimet e dëmshme të ZRRE për tarifat e energjisë;

6. Mungesën e fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave;

7. Mospërfshirjen e komunitetit të biznesit në politikëbërje;

8. Normat e larta të interesit për kredi;

9. Mosfunksionimin e Komisionit për Miniera dhe Minerale;

10. Praktikat e dëmshme të Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK);

11. Mungesën e skemave për mbështetjen e prodhuesve vendorë;

12. Mungesën e mekanizmave për tërheqjen e fuqisë punëtore nga jashtë.

Në fund, LBK thekson se pa një strategji të qartë për rritjen e prodhimit vendor, nxitjen e eksportit dhe përmirësimin e kushteve për investime, ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të humbasë terren dhe konkurrueshmëri në rajon.

“Populli i Kosovës meriton më shumë – meriton institucione që funksionojnë, ekonomi të qëndrueshme dhe të ardhme me shpresë,” përfundon reagimi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP