KEK: Ndalet njësia A4 e Termocentralit ‘Kosova A’
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A do të ndalet sonte në mesnatë (ora 24:00), për shkak të një sinjalizimi për defekte në ventilatorët e kullës ftohëse.
KEK thekson se ndalesa është masë parandaluese për të shmangur një defekt më të madh dhe për të mundësuar intervenimin e shpejtë teknik.
“Sapo kemi pranuar sinjalizimet për defekt, kemi vendosur ndaljen e njësisë A4 me qëllim të trajtimit të menjëhershëm të problemit. Kjo ndalesë është bërë në koordinim me partnerët tanë afaristë, të cilët janë njoftuar me kohë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Sipas KEK-ut, kapaciteti i njësisë A4 nuk ka qenë i planifikuar për prodhim gjatë ditës së nesërme, dhe ekipet teknike të Termocentralit Kosova A janë të gatshme të ndërhyjnë posa të krijohen kushtet teknike për identifikimin dhe sanimin e defektit.
“Objektivi ynë është që njësia A4 të rikthehet në operim sa më parë që të jetë e mundur,” përfundon njoftimi. /Kosova.info/
