Dita e Europës, Kosova nën sanksione – Ukaj kritikon ashpër qeverisjen Kurti

Publicisti Ndue Ukaj ka reaguar në prag të Ditës së Europës, e cila shënohet më 9 maj dhe është ditë pushimi në Kosovë. Ai ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit duke e cilësuar atë si antiperëndimore dhe të shkëputur nga vlerat që i kanë udhëhequr shtetet demokratike të Evropës.

Ukaj thotë se Kosova, e cila dikur u frymëzua nga ideali i Bashkimit Europian për të fituar lirinë dhe pavarësinë, sot ndodhet në një situatë të zymtë – nën sanksione nga vendet perëndimore dhe pa vizion për të dalë nga kjo gjendje.

“Është tragjike që në këtë ditë feste, Kosova hyn si vend nën sanksione të perëndimit. Të normalizosh jetën nën sanksione, do të thotë të jesh në anën më të ligë të historisë,” shprehet Ukaj.

Ai thotë se kjo qeverisje po e çon vendin drejt izolimit dhe humbjes së vlerave demokratike duke i cilësuar udhëheqësit aktualë si “klikë egërshanësh primitivë”. Sipas tij, Kosova po bëhet për “faqe të zezë”, sepse jo vetëm që ndodhet në këtë situatë, por edhe sepse kjo gjendje po fillon të normalizohet nga shoqëria.

“Kur bashkëjeton me të keqen, i dorëzohesh saj,” përfundon Ukaj në reagimin e tij. /Kosova.info/

Go to TOP