Java e Shëndetit Mendor të Nënës – Prishtina promovon mbështetjen emocionale për nënat e reja

Në kuadër të “Javës së Shëndetit Mendor të Nënës”, Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë organizoi një ligjëratë të veçantë për nënat, pjesë e programit inovativ “Kujdesi në Grup – Prindërimi”. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e drejtorit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, si dhe eksperteve të fushës, me qëllim të krijimit të një hapësire të sigurt për diskutim dhe mbështetje.

Koordinatorja e programit, znj. Afërdita Krasniqi, dhe psikologet PhD cand. Dorentina Murturi dhe MSc. Arbnora Sahiti ndanë njohuri dhe këshilla mbi rëndësinë e shëndetit mendor pas lindjes, strategjitë për menaxhimin e stresit, si dhe mënyrat për të përballuar sfidat e përditshme të nënësisë.

“Ky takim i dha mundësi nënave të ndajnë përvojat e tyre dhe të mbështesin njëra-tjetrën në një ambient të ngrohtë dhe të hapur”, theksoi drejtori Sadiku duke shtuar se prindërit meritojnë kujdes gjithëpërfshirës, që përfshin edhe aspektin emocional dhe psikologjik.

Aktiviteti është pjesë e përpjekjeve të kryeqytetit për të promovuar mirëqenien mendore të nënave të reja dhe për të fuqizuar sistemin e mbështetjes prindërore në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP