Ahmeti ironizon Abdixhikun: “Budalla i mençur” që po tenton të kontrabandojë Asociacionin me “qeveri tranzicioni”

Gazetari i karrierës Sylë Ahmeti ka reaguar me një koment ironik ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke e cilësuar si “budalla i mençur” në tentativat e tij për të shtyrë përpara çështjen e Asociacionit përmes një formule të re politike që ai e quan “qeveri tranzicioni”.

Ahmeti, përmes një reagimi publik, tha se ideja për një qeveri tranzicioni nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të kontrabanduar një marrëveshje të dështuar, që fillimisht ishte trashëgimi e gabimeve strategjike të PDK-së dhe LDK-së.

“Qeveria e tranzicionit është formula e vetme e marrjes së përgjegjësisë kolektive politike për ta bërë Asociacionin. Pra, këtë gabim trashanik politik dhe strategjik të PDK-së dhe LDK-së, tash Abdixhiku po tenton ta kontrabandojë duke i futur në rrugë pa krye të gjitha partitë me përgjegjësi të përbashkët”, shkroi Ahmeti duke shtuar në mënyrë ironike: “Eh, sa budalla i mençur është ai.”

Ky koment vjen në kohën kur skena politike në Kosovë po përjeton tensione të reja për çështjen e Asociacionit dhe mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes partive politike. Përplasjet mes vizioneve të ndryshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje janë duke u thelluar, ndërsa qasja e Abdixhikut duket se po nxitet si një përpjekje për të shpërndarë barrën e vendimeve të vështira në mënyrë kolektive.

Reagimi i Ahmetit është vetëm një ndër shumë zëra kritikë që kanë vënë në pikëpyetje sinqeritetin dhe qëndrueshmërinë e idesë së një qeverie tranzicioni, në një kontekst të ngarkuar me sfida politike dhe ndjeshmëri kombëtare.


Go to TOP