Dumoshi akuzon MKRS për keqpërdorim të emrit të saj: Qendra Historike e Prishtinës ende pa status të qartë mbrojtjeje

Ish-ministrja e Kulturës dhe ish-drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, ka reaguar ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) duke e akuzuar për dezinformim dhe për keqpërdorim të emrit të saj në lidhje me ndërprerjen e punimeve në Komunën e Prishtinës. Ajo ka theksuar se përkundër përpjekjeve të saj institucionale ndër vite për të siguruar mbrojtjen ligjore të Qendrës Historike të Prishtinës, MKRS nuk ka përmbushur obligimet ligjore për ta proceduar këtë aset sipas standardeve të përcaktuara.

Dumoshi kujton se gjatë mandatit të saj si drejtoreshë e DKRS në Prishtinë (2010–2013), për herë të parë ishte përfshirë Qendra Historike e Prishtinës në dokumentet komunale strategjike siç është Plani Zhvillimor Komunal 2012–2022, me theks të veçantë për asetet si Kulla e Sahatit, Hamami i Prishtinës dhe Xhamia e Çarshisë.

Më vonë, si ministre e Kulturës në Qeverinë Kurti I, ajo thotë se ka miratuar përfshirjen e Qendrës Historike të Prishtinës në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme në vitin 2020, me numër unik 3998 në databazë, por sipas saj, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk ka përmbushur detyrimin për të përcaktuar perimetrin dhe zonën mbrojtëse të asetit, siç kërkohet nga Ligji Nr.02/L-088.

Ajo thekson se kjo mosveprim ka bërë që Qendra Historike e Prishtinës të mos figurojë as sot (1 maj 2025) në Regjistrin Kadastral duke theksuar se kjo është një neglizhencë e MKRS dhe jo mungesë vullneti nga ana e saj. “Ftoj MKRS të mos e dezinformojë opinionin publik, pasi gjendja dhe dokumentet flasin se vet ajo nuk e ka kryer punën e përcaktimit të perimetrit, siç kërkohet me ligj”, theksoi Dumoshi.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve që gjatë punimeve në shesh të respektohet hapësira historike dhe të ruhen vlerat e trashëgimisë kulturore. /Kosova.info/


Go to TOP