Supremja i liron katër serbët e arrestuar në Gjakovë

Janë liruar nga masa e paraburgimit katër të pandehurit e nacionalitetit serb të cilët ishin arrestuar më 5 prill në Gjakovë nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata Supreme ka marr vendim për t’i liruar të katër të pandehurit të cilëve më 7 prill Gjykata Themelore në Gjakovë u kishte caktuar nga 30 ditë paraburgim secilit veç e veç.

Siç ishte njoftuar në ditën e arrestimit të katër të pandehurve të nacionalitetit serb, të dyshuarit ishin ndaluar fillimisht për tejkalim shpejtësie, ndërsa gjatë kontrollit atyre iu gjetën armë të ftohta, posedojnë armë të ftohta, sëpate e thika.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sëpatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhej në njoftimin që gjykata e kishte lëshuar në ditën e 7 të prillit kur edhe e kishte marr vendimin. /Kosova.info/


Go to TOP