Fetoshi: Deklarata e Kërstiçit, propagandë serbe
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se deklarata e gazetarit serb, Branisllav Kërstiç është propagandë serbe.
“Çka është munduar të thotë gazetari serb, Branisllav Kërstiç me një shqipe që shëmton fisnikërinë e saj, s’ka rëndësi. Por, duke pohuar se Afrim Bunjaku nuk është vrarë, ai i shërben narrativës serbe të “shfajësimit, akuzimit dhe tensionimit” në Kosovë. Ta degradosh jetën e një polici në “dëm kolateral” siç e cilësoi Kërstiç, nuk është vetëm ofendim brutal e moralisht e papranueshme, por edhe një goditje ndaj përpjekjeve institucionale për siguri dhe sundim të ligjit. I ftuar në një emision televiziv në Kosovë, Kërstiç nuk bëri gazetari, por e relativizoi terrorizmin, duke shmangur fakte të njohura botërisht dhe duke i shërbyer një narrative që fyen viktimën dhe “shfajëson” kriminelët”, tha Fetoshi.
Sipas tij, ‘gazetari” që njihej si zë kritik, sot i dha oksigjen propagandës që përpiqet të legjitimojë dhunën, destabilizimin dhe mohimin e realitetit. Derisa Kosova në vazhdimësi lufton për ta prezantuar me fakte të vërtetën e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Kërstiç vendosi të godasë mbi varrin e një polici të vrarë në mbrojtje të sovranitetit.
“Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk është i vrarë. Është një mënyrë si një dëm kolateral. Askush s’e ka pushkatuar zotëri Bunjakun. Secili polic që ka kryer trajnime vetëm 15 ditë dhe që e ka veshur uniformën, është i informuar nga shefat e vetë që barrikadat janë të minuara”, tha Kërstiç, duke pretenduar se kjo që po thoshte nuk ishte propagandë, por hulumtim i tij si “gazetar”. Ndoshta ka “harruar” se më 24 shtator 2023 Kosova u përball me një nga sulmet më të rënda kundër rendit e sovranitetit të saj që nga shpallja e pavarësisë. Ndaj grupit të organizuar e të armatosur rëndë, nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili kreu sulmin në fshatin Banjskë ku u vra polici i Njësisë Speciale të Kosovës, Afrim Bunjaku, kanë reaguar ashpër të gjithë faktorët perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare, duke i kërkuar Serbisë të mos i “strehojë” përgjegjësit. Për këtë sulm, si duket sërish “harron” Kërstiç, Kosova ka marrë mbështetje të plotë ndërkombëtare dhe institucionet e drejtësisë kanë ngritur një aktakuzë. Faktet janë të kokëforta, provat janë të pakontestueshme dhe vrasja e Afrim Bunjakut është një plagë e hapur për shtetin dhe popullin që mbrojti me jetën e tij”, tha ai. /Kosova.info/
