Avdyli: Kosova nuk ndalet, por LDK-në po e çon në humnerë vetmia politike
Deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar ashpër ndaj mbylljes së partisë së tij të dikurshme ndaj dialogut politik me subjektet e tjera në vend, në veçanti me Vetëvendosjen.
Avdyli, përmes një postimi të gjatë, ka theksuar se edhe në konfliktet më të përgjakshme ndërkombëtare, komunikimi nuk është ndërprerë, ndërsa LDK-ja, pa u përballur me asnjë luftë, po refuzon të ulet në tavolinë për dialog politik.
“Edhe kur vriteshin mijëra në ditë, Rusia me Ukrainën kanë pasur linjë komunikimi. Edhe kur NATO bombardonte Serbinë, komunikimi ekzistonte. LDK, pa e vra askënd, është mbyllur në kullën e vetmisë e hasmërisë,” ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se ky refuzim nuk është parë as në kohët më të vështira të politikës kosovare duke përkujtuar edhe bashkëpunimin e dikurshëm mes LDK-së dhe PDK-së, pavarësisht akuzave të rënda që ishin bërë në të kaluarën.
“LDK pati biseduar edhe me kryepopin shovinist Porfirije, e sot nuk po duan të flasin as me një parti shqiptare që përfaqëson gati gjysmën e popullit,” theksoi Avdyli.
Ai e cilësoi këtë sjellje si “papjekuri infantile” dhe e paralajmëroi LDK-në se rruga e izolimit do ta çojë drejt humnerës politike dhe humbjes së besimit qytetar.
“Refuzimi i bisedave ka për ta dëmtuar më së shumti vetë LDK-në dhe po vendoset një precedent i rrezikshëm në politikën kosovare – ai i bllokimit të zgjidhjeve për shkak të inateve,” përfundoi Avdyli duke shtuar se Kosova do të gjejë rrugë për të ecur përpara, por LDK-së do t’i mbetet vetëm kori. /Kosova.info/
