Izraeli heq vizat për kosovarët, kërkohet vetëm leja elektronike ETA-IL

Duke filluar nga data 5 maj 2025, qytetarët e Kosovës që mbajnë pasaportë kombëtare të vlefshme nuk do të kenë më nevojë për vizë për të hyrë në Shtetin e Izraelit për qëllime turistike. Izraeli ka vendosur ta përfshijë Kosovën në listën e vendeve të përjashtuara nga viza duke lehtësuar kështu lëvizjen dhe shkëmbimet turistike ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, për të hyrë në territorin izraelit, të gjithë shtetasit e Kosovës do të jenë të detyruar të pajisen me një Autorizim Elektronik për Udhëtim (ETA-IL). Ky dokument duhet të merret të paktën 72 orë para nisjes së udhëtimit drejt Izraelit dhe vlen si leje hyrjeje për qëndrim deri në 90 ditë për çdo vizitë.

Aplikimi për ETA-IL është një proces i thjeshtë dhe mund të bëhet online. Pas miratimit, udhëtarët mund të hyjnë në Izrael pa pasur nevojë për një vizë fizike në pasaportën e tyre.

Autoritetet izraelite theksojnë se udhëtarët që nuk do të kenë një ETA-IL të vlefshme ose vizë nuk do të lejohen të udhëtojnë drejt vendit. Kjo masë synon të përshpejtojë procesin e kontrollit kufitar dhe të rrisë sigurinë për të gjithë vizitorët.

Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit duke i hapur rrugë më shumë mundësive për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe ekonomisë. /Kosova.info/

Go to TOP