Geci: LDK në rrezik zhdukjeje, kombi në prag ndarjeje

Halil Geci, veprimtar i çështjes kombëtare dhe një nga figurat e njohura të frymës rugoviste, ka dalë me një deklaratë të fuqishme publike, ku akuzon drejtuesit aktualë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për devijim nga ideali i Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe dështim total në mbrojtjen e interesave të Kosovës.

Geci, ish-delegat i kuvendeve të LDK-së, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe oficer në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë luftës, thotë se nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e Vetëvendosjes, por se mbështet çdo lider që punon me përkushtim për të mirën e vendit – përfshirë edhe Albin Kurtin.

“Nuk pranoj që të më etiketojnë si mbështetës i Kurtit, as si pjesë e VV-së. Qëndrimi im është i qartë: mbështes vetëm ata që punojnë për vendin, pa dallim partie,” deklaron Geci, ndërsa hedh poshtë etiketimet si “shpifje të ulëta”.

Ai kritikon ashpër LDK-në nën drejtimin e Lumir Abdixhikut duke e akuzuar për largim nga rrënjët rugoviste dhe përjashtimin e figurave me integritet si Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Donika Gërvalla dhe të tjerë, ndërsa sipas tij, brenda partisë janë përqafuar tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e strukturave që kanë cenuar sovranitetin e Kosovës.

Në deklaratën e tij, Geci liston një sërë pasojash që, sipas tij, janë rezultat i kompromiseve të LDK-së me Hashim Thaçin dhe PDK-në: humbje territoriale ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi, krijimi i komunave me shumicë serbe, ekstraterritorialiteti për kishat serbe dhe ndarja de facto e veriut të Kosovës.

“LDK-ja është në buzë të shuarjes. E kanë shndërruar në një vegël të interesave të huaja dhe të grupeve të korruptuara. Është partia e tretë, pa identitet dhe pa lidhje me idealin rugovist,” thekson Geci.

Ai u bën thirrje të gjithë rugovistëve dhe qytetarëve të ndershëm që të bashkohen për ta shpëtuar LDK-në dhe për të kthyer partinë në rrugën e Rugovës – atë të dinjitetit, sakrificës dhe shtetndërtimit.

Në fund, Geci shpreh edhe një përgëzim për Kryeministrin Kurti: “E përgëzoj Albin Kurtin dhe i uroj të vazhdojë të mbrojë interesin kombëtar. Do të jem gjithmonë përkrah tij moralisht dhe, nëse është e nevojshme, edhe fizikisht.” /Kosova.info/

Go to TOP