Vasolli: Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare me vizion të ri për bizneset

Besnik Vasolli i cili javë më parë është emëruar drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), tha se Oda ekonomike Gjermano Kosovare ka vizion të ri dhe është e përkushtuar ndaj bizneseve kosovaro-gjermane. Ai ka ftuar edhe diasporën për bashkëpunim në zhvillimin sektorit privat.

Vasolli, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, në të cilën janë mbi 200 kompani gjermano-kosovare, të fushave të ndryshme, sot në RTK, foli për rëndësinë e kësaj ode, ku sipas tij, përmes saj  ndihmohet industria në vendit tonë.

Ai bëri të ditur se ka kompani gjermane që investojnë dhe disa që duan të investojnë në Kosovë.

“Që nga viti 2017 ka pasur më shumë se 100 kompani që kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë, derisa në vitin 2024 kemi mbështetur më shumë se 85 kompani gjermane për të investuar këtu”, tha Vasolli, në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, teksa shfaqi shpresën se kjo odë ekonomike mund të bëjë edhe më shumë në të ardhmen.

Ai më tej foli për rolin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, që, sipas tij, është ndërmjetësues ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre gjermane.

“Nëse ka interesim investitori gjerman për të investuar në Kosovë, ne jemi aty për t’i përkrahur”, qartësoi Vasolli, duke shtuar se kjo odë, luan edhe rolin e propagandimit për investime, ku, sipas tij, ndikon tek investitorët gjermanë për të investuar në vendin tonë, duke promovua Kosovën si një vend atraktiv për investime.


Go to TOP