Lushi: Kurti e do më shumë veten se shtetin – VV-ja duhet ta sfidojë liderin dhe t’i dalë zot Kosovës
Analisti Uk Lushi ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Albin Kurtit në raport me krizën politike dhe formimin e institucioneve duke e akuzuar për mungesë të vizionit shtetformues dhe për përqendrim të tepruar në pushtetin personal.
“Për pesë vite në kalin e pushtetit, Kurti nuk ka dëshmuar asnjëherë që di apo dëshiron të jetë burrështetas, por e ka përsëri rastin,” shkruan Lushi duke iu referuar ftesës që Kurti i ka bërë LDK-së për bashkëqeverisje.
Sipas tij, përtej kësaj, Kurti duhet të shkojë më tej dhe të ftojë PDK-në në diskutime serioze për formimin e një qeverie funksionale, ku interesat e shtetit të vendosen mbi ato të partive politike. “Gjasat janë të vogla që një politikan i vogël si Kurti të bëjë një gjest të madh, por një sjellje e tillë është normale në çdo sistem demokratik,” thekson ai.
Lushi e cilëson Kurtin si “bllokues” dhe e kritikon për ego të tepruar: “Kurti e do Kurtin më shumë se shtetin.”
Ai u bën thirrje anëtarëve të VV-së që kanë atdhedashurinë mbi lojalitetin ndaj liderit, që të mos pranojnë diktatin e tij: “Nëse Kurti do djegje, atëherë VV-ja duhet të krijojë një fraksion të brendshëm dhe ta rrëzojë nga froni mbretëror partiak. VV-ja ka shqiptarë më trima, më të mençur dhe më të dijshëm se Kurti.”
Sipas Lushit, është koha që në VV të thyhet frika nga “tigri prej letre” dhe të vendoset në plan të parë interesi shtetëror e demokratik i Kosovës. /Kosova.info/
