Muharremi: LVV po përmend zgjedhje në kohë krize, por situata në vend është kundër tyre

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj përmendjes së zgjedhjeve të reja nga Lëvizja Vetëvendosje duke theksuar se një lëvizje e tillë është e papërgjegjshme në kohën kur vendi po kalon një situatë të rëndë ekonomike. Ai shprehu shqetësimin se pushteti aktual është i izoluar dhe nuk ka ndjeshmëri për realitetin që po përjetojnë qytetarët.

“Kur je në pushtet, izolohesh, edhe pamja të mjegullohet,” tha Muharremi duke shtuar se LVV kishte premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, por në vend të kësaj, tarifat janë rritur tri herë gjatë mandatit të tyre. Sipas tij, tarifa e lartë është rritur për 128% dhe vendimi i fundit i ZRRE-së për rritje të re është skandaloz, sidomos duke marrë parasysh se, sipas tij, ka pasur mundësi për ta parandaluar.

“Albin Kurti nuk ka folur asnjë fjalë për këtë vendim, e kjo heshtje është miratim,” u shpreh ai duke shtuar se inflacioni dhe çmimet e larta në treg do të jenë temat kryesore në çdo zgjedhje eventuale.

Muharremi theksoi se aktualisht “fryma është anti-LVV” dhe se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve nën këtë valë të re inflacioni, LVV mund të përballet me një rënie të theksuar të përkrahjes – ndoshta edhe deri në rajonin e 30 përqindëshit.

“Sikur të isha në vend të tyre, kurrë në jetë nuk do t’i përmendja zgjedhjet. Por secili i di punët e veta më së miri,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP