Tri kompani ndërkombëtare kualifikohen për energji nga era

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se tri kompani ndërkombëtare janë kualifikuar për fazën e dytë të ankandit të parë për energji nga era, me kapacitet prej 100 megavatësh. Ky projekt zhvillohet me përkrahjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Sipas komunikatës zyrtare, më 20 shkurt janë pranuar aplikacionet nga këto kompani:

Akuo Energy nga Franca,

Güriş nga Turqia,

Konsorciumi Notus/Stublla Energy nga Gjermania dhe Kosova.

Komisioni vlerësues ka konstatuar se të tria kompanitë i përmbushin kriteret ligjore, teknike dhe financiare për këtë fazë të garës dhe do të kalojnë në fazën e dytë të procesit.

Ministria ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të shpallet Kërkesa për Propozime për këto kompani të kualifikuara, proces i cili do të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe do të zhvillohet sipas standardeve më të larta të transparencës.

Gjatë kësaj periudhe, do të mbahet edhe konferenca e para-ofertimit me investitorët e përzgjedhur, ku bashkë me IFC-në do të prezantohen struktura e projektit dhe detajet e marrëveshjeve kontraktuale.

Pas fazës së pyetjeve dhe përgjigjeve, kompanitë do të dorëzojnë ofertat e tyre përfundimtare. Propozimet do të vlerësohen në bazë të kritereve ligjore, teknike, mjedisore dhe sociale, ndërsa vetëm ofertat që i plotësojnë të gjitha këto kushte do të kalojnë në hapjen e ofertave financiare.

“Fituesi i projektit do të përzgjidhet në bazë të ofertës me çmimin më të ulët për MWh, i cili duhet të jetë nën çmimin tavan të përcaktuar nga rregullatori i energjisë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Ekonomisë ka theksuar se objektivi kryesor është transparenca gjatë të gjithë procesit, ulja e rrezikut të projektit dhe mbrojtja e konsumatorit nga çmime të larta në të ardhmen. Kjo iniciativë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më modern, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP