Organizatat e dala nga lufta dënojnë aktakuzën e ndryshuar ndaj Thaçit: proces politik për njollosje të luftës çlirimtare
Organizatat e dala nga lufta, përfshirë OVL UÇK, SHIL UÇK dhe SHFD UÇK, kanë reaguar me shqetësim të thellë ndaj dorëzimit të një aktakuze të ndryshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, ato e cilësojnë aktakuzën e re, e cila përfshin pretendime për “shtytje” në pengimin e personave zyrtarë, si një hap të radhës në një qasje të padrejtë, të njëanshme dhe të motivuar politikisht ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare.
Sipas organizatave, kjo akuzë nuk ka asnjë lidhje me pretendimet fillestare për të cilat Thaçi po mbahet në paraburgim, dhe përkundrazi dëshmon përpjekjet për zvarritjen e procesit gjyqësor dhe njollosjen e qëllimshme të figurave që përfaqësojnë simbolet e rezistencës dhe të lirisë së popullit të Kosovës.
“Gjykata Speciale është shndërruar në një instrument të padrejtësisë ndërkombëtare, ku drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, në kundërshtim me parimet themelore të të drejtës penale,” thuhet në reagim. Ato theksojnë se përpjekja për të lidhur Thaçin me vizita të miratuara zyrtarisht gjatë paraburgimit, si pretekst për akuza të reja, është krejtësisht e pabazë dhe një formë presioni politik.
Organizatat kërkojnë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të reflektojnë mbi këtë qasje të rrezikshme dhe të ndalojnë përdorimin e drejtësisë për të rishkruar historinë e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Kosova.info/
