Bajrami akuzon LVV-në për bllokim të seancës konstituive: U shkel Rregullorja e Kuvendit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituivin e Kuvendit të Kosovës duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokim të qëllimshëm të procesit.
Sipas saj, të gjithë njëzet deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së ishin prezent në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës nga radhët e LVV-së, sipas saj, shkeli Rregulloren e Kuvendit duke thirrur për konsultime politike pa autorizim dhe jashtë mandatit të tij.
“Fatkeqësisht, skenari i mbledhjes konstituive nuk u respektua, ani pse kishte kushte të plota për të vazhduar aty ku ishte ndërprerë seanca më 15 prill. Me 100 deputetë prezentë, ekzistonte kuorumi i nevojshëm për të kaluar në votimin e raportit të Komisionit,” deklaroi Bajrami.
Ajo shtoi se veprimet e sotme të LVV-së dëshmojnë qartë tendencën për të bllokuar konstituivin e Kuvendit dhe themelimin e institucioneve të reja.
Në fund, Bajrami publikoi edhe skenarin e mbledhjes së sotme duke theksuar se ai nuk u respektua nga udhëheqësit e seancës.
LDK ka kërkuar që seanca të rifillojë aty ku ishte ndërprerë, ndërsa tensionet politike për procesin e konstituivit mbeten të larta. /Kosova.info/
