ZRrE miraton rritjen e çmimit të energjisë përkundër protestave – KMDLNj kërkon intensifikim të reagimit qytetar në gjithë Kosovën

Përkundër dy protestave të mbajtura në Prishtinë, kundërshtimeve në forma të ndryshme dhe dërgimit të komenteve zyrtare, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) miratoi dje vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1%. Ky vendim, i konsideruar si i padrejtë dhe i dëmshëm nga shumë qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile, do të rëndojë jetën e përditshme të shumicës së qytetarëve të Kosovës, bizneseve dhe në veçanti shtresave të cenueshme si pensionistët, përfituesit e skemave sociale dhe veteranët e luftës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e quajtur ZRrE një “ndërmarrje kriminale të strukturuar”, e cila sipas tyre, asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarëve, por ka mbrojtur interesat e operatorëve të energjisë dhe strukturave të caktuara qeveritare. KMDLNj akuzon ZRrE për vjedhje të qëllimshme të parave publike për më shumë se 15 vjet, përmes lirimit të qytetarëve serbë nga pagesa e energjisë elektrike dhe faturimit të padrejtë ndaj qytetarëve shqiptarë – një praktikë që ka rezultuar edhe me një vendim të gjykatës, i cili ende nuk është zbatuar.

Sipas KMDLNj-së, Qeveria Kurti 2 nuk ndërmori asnjë hap për të mbrojtur qytetarët, përkundrazi përmes “improvizimeve” të Ministres së Ekonomisë, ajo e pranoi rritjen duke kontribuar në përshkallëzimin e saj. Organizata thekson se kjo rritje do të ketë pasoja zinxhir në ekonomi duke ndikuar në rritjen e çmimeve të artikujve dhe shërbimeve tjera, si dhe do të përshpejtojë procesin e shpopullimit të Kosovës.

KMDLNj bën thirrje për organizim dhe intensifikim të protestave në të gjithë territorin e Kosovës, duke theksuar se protesta është në funksion të mbrojtjes së interesit të përbashkët qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, gjinisë apo statusit shoqëror. “ZRrE nuk është shtet dhe nuk mund të qëndrojë mbi ligjin”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së duke garantuar përkrahje të fuqishme për çdo protestë me karakter social dhe ekonomik.

Organizata përfundon me një apel të qartë: Rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të mbetet një vendim i heshtur, por një pikënisje për rezistencë qytetare në mbrojtje të dinjitetit dhe mirëqenies së përbashkët. /Kosova.info/


Go to TOP