Isufi: Synimi ynë, ruajtja e gjuhës dhe identitetit te fëmijët mërgimtarë
Xhevat Isufi, anëtar i kryesisë nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare ”Iliria” dhe mësues në Suedi, theksoi se synimi kryesor i këtij asociacioni kulturor-arsimor është ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit te fëmijët mërgimtarë.
Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se në Suedi është mirë i organizuar mësimi i gjuhëve amtare, “njëkohësisht në atë kontekst flitet edhe për gjuhën shqipe, është mësim që organizohet nga institucione shkollore suedeze ku ka planprograme të veçanta, zhvillohet në kuadër të shkollave suedeze”.
“Jemi mësues të punësuar, të barabartë me kolegët tanë suedezë dhe jemi të obliguar ta zbatojmë kurrikulën ose planprogramin që e ka përpiluar enti shkollor arsimor i Suedisë”, shtoi ai.
Ai më tutje tregoi se do të kenë edhe tri aktivitete shumë të rëndësishme të këtij asociacioni kulturor-arsimor që do të mbahen deri në gjysmën e këtij viti.
“Do të mbahet kuizi mbarëkombëtar në Vjenë më 3 maj, ku pritet të jenë dhjetë shtete që do të marrin pjesë me nga dy tri ekipe, është konfirmuar pjesëmarrja e Kosovës dhe Shqipërisë, për herë të parë garojmë edhe me nxënës që e kanë të përditshme gjuhën shqipe dhe me nxënës që e mësojnë mësimin plotësues në diasporë”, tha Isufi.
