I jepet lamtumira e fundit ish-kryeprokurorit Ismet Kabashi
Në nderim të ish-kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi, i cili vdiq dje, familjarë, miq dhe përfaqësues të drejtësisë organizuan një mbledhje përkujtimore, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën e drejtësisë.
Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeprokurorit Ismet Kabashi, i cili vdiq dje, familjarë, miq dhe përfaqësues të drejtësisë në vend, organizuan mbledhje përkujtimore, në të cilën u vlerësuan lart kontributi dhe profesionalizmi i Kabashit.
“Në rrugëtimin e tij profesional ai qëndroj besnik jo vetëm ndaj ligjit por edhe ndaj etikës ishte një figurë e qetë dhe e vendosur, një drejtues që e njihte përgjegjësinë, ishte i drejtë në gjykim, i përmbajtur në fjalë dhe i palëkundur në bindje”, tha Besim Kelmendi, u.d. kryeprokuror i Shtetit.
Për mirënjohje, nderim, respekt dhe përkushtim ndaj Ismet Kabashit, falënderuan familjarët.
“Ai ishte një, një burim i dashurisë i qetësisë i fjalës së mençur dhe mbështetjes së palëkundur, ne jemi rritë duke e ndjekur shembullin e tij dhe ai do të vazhdoj të jetë udhërrëfyes i yni edhe më tutje”, tha Venera Kabashi, familjare.
Ish-kryeprokurori Kabashi u përcoll për në amshim nga familjarë dhe miq, ndërsa nga të pranishmit u tha se kontributi dhe kolegialiteti i tij mbeten gjurmë të pashlyera të tipareve që e karakterizuan.
