Rama takon përfaqësues të bizneseve vendore dhe zyrtarin amerikan Anuzis: Synojmë bashkëpunim ekonomik dhe mbrojtje të ambientit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka organizuar një darkë pune me përfaqësues të bizneseve vendore dhe Saul Anuzis, zyrtar i lartë i Partisë Republikane në SHBA, ish-Kryetar i Partisë për Miçigan dhe aktualisht Kryetar i Fondacionit 60Plus.
Në këtë takim, Rama theksoi rëndësinë strategjike të bizneseve vendore si shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit dhe nevojën për përfshirjen e tyre më të gjerë në tregun ndërkombëtar. Ai tha se duhen krijuar hapësira substanciale për bashkëpunim dhe rrjete të reja që lidhin ekonominë lokale me partnerë globalë.
Diskutimet u përqendruan edhe në zhvillimin e politikave të qëndrueshme që fuqizojnë sipërmarrjen vendore duke mbrojtur njëkohësisht ambientin. Rama veçoi ndotjen e ajrit si një nga sfidat më të mëdha për shëndetin publik duke theksuar se çdo iniciativë ekonomike duhet të përfshijë masa konkrete për mbrojtjen e mjedisit.
Takimi u cilësua si një hap konkret drejt krijimit të një platforme bashkëpunimi mes bizneseve të Prishtinës dhe atyre amerikane duke synuar shkëmbim përvojash dhe integrim të mëtejshëm ekonomik në nivel global. /Kosova.info/
