Muharremi: Qeveri me shumicë, por pa zë e pa kompetencë për krizën e rrymës

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për herë të tretë duke e konsideruar këtë si pasojë të një qeverisje të dobët dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat reale të qytetarëve.

Sipas Muharremit, qytetarët janë të brengosur, kanë protestuar dhe kanë reaguar në numër të madh, ndërsa ministrat e Qeverisë Kurti, sipas tij, po qëndrojnë në heshtje ose e arsyetojnë rritjen.

“Rryma po rritet për herë të tretë, e ministrat zani nuk po ju ndihet. Populli brengoset, qindra mijëra reagime… dhe ministrat e mbrojnë rritjen,” shkroi ai duke shtuar se ndërsa Presidentja promovon njohje ndërkombëtare, Ministrja e Jashtme “mbetet në offside” dhe reagon me vonesë.

Muharremi kritikoi ashpër edhe mënyrën si qeveria po e përdor mbështetjen elektorale duke theksuar se “numrat nuk nënkuptojnë cilësi” dhe se është më mirë të kesh pak përkrahje, por me rezultate konkrete, sesa shumicë të madhe pa kompetencë.

Ky reagim vjen në një kohë kur qytetarët e Kosovës po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës, ndërsa debatet për menaxhimin e sektorit energjetik po ashpërsohen gjithnjë e më shumë. /Kosova.info/

Go to TOP