LDK për njohjen nga Sudani: Moment i rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate e ka mirëpritur njohjen e Kosovës nga ana e Sudanit duke e vlerësuar si akt të rëndësishëm dhe dëshmi të fuqishme të përkushtimit të vazhdueshëm të shteteve paqedashëse ndaj parimeve të lirisë, paqes dhe të drejtës së popullit të Kosovës për pavarësi.
“LDK shpreh falënderimet e sinqerta për udhëheqësit dhe popullin e Sudanit në këtë vendim, i cili forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap rrugë të reja për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky moment shënon gjithashtu një kapitull të ri që vjen si rezultat i përpjekjeve të pandalshme të miqve ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e LDK-së. /Kosova.info/
