Sudani njeh pavarësinë e Kosovës – Kurti: Një miqësi e re për shtetin tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur njohjen e re ndërkombëtare nga shteti i Sudanit duke e cilësuar këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme për forcimin e miqësive dhe pozitës ndërkombëtare të vendit.

“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re, e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga shteti i Sudanit, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia,” shkroi Kurti në një reagim publik.

Ai shprehu shpresën se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve do të zgjerohet dhe fuqizohet në të ardhmen.

Kryeministri gjithashtu falënderoi Presidentin e Sudanit për vendimin, Presidenten e Kosovës për angazhimin e saj të vazhdueshëm si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kontribuojnë në rritjen e njohjeve të Kosovës.

“Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj, e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme,” përfundoi Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP