AUV: Mishi i pulës braziliane i sigurt për konsum në Kosovë – testet konfirmojnë mungesën e Salmonelës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar sot se rezultatet e analizave laboratorike kanë konfirmuar se mishi i bardhë i pulës me origjinë nga Brazili, që tregtohet në Kosovë, është i sigurt për konsum dhe përmbush të gjitha kriteret ligjore për tregtim.

Pas raportimeve për praninë e Salmonelës në mish pule me origjinë braziliane në Shqipëri, AUV ndërmori veprime të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e konsumatorit kosovar. U vendosën masa të shtuara të kontrollit, u gjurmua mishi në qarkullim dhe u vendosën kufizime të përkohshme në shitje, derisa të përfundonin analizat.

Mostrat e marra (fileto pule – breast) janë analizuar për prezencën e bakterieve Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis duke përdorur metodën e avancuar ANSR për amplifikimin e ADN-së dhe metodën klasike të bazuar në standardin ISO 6579-1. Të dyja metodat konfirmuan mungesën e Salmonelës, brenda limiteve të përcaktuara nga Rregullorja Nr. 27/2012 dhe plotësimi i saj 09/2018 për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore.

AUV siguron qytetarët se do të veprojë gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të marrë masa të menjëhershme për çdo rast të dyshuar, në mënyrë që siguria ushqimore në vend të jetë jo vetëm fakt, por edhe perceptim i përhershëm për konsumatorët. /Kosova.info/


Go to TOP