Muharremi: Strategjia “O krejt, o asgjë” e LVV-së dështoi – Rënia e saj është e pandalshme

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas deklaratave të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca duke thënë se ato vetëm sa kanë konfirmuar të gjitha paralajmërimet dhe analizat e bëra muaj më parë për rënien e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Muharremit, strategjia elektorale e LVV-së “o krejt, o asgjë” ka rezultuar të jetë e gabuar dhe joefektive për të realizuar qëllimet politike të saj. Ai thekson se kjo qasje përjashtuese ka pamundësuar formimin e qeverisë pa bashkëpunimin me një parti opozitare dhe pa bërë kompromiset e nevojshme për ndarjen e pozicioneve kryesore institucionale.

“Fushata negative e LVV-së, e bazuar në sulme ndaj opozitës dhe kundërshtarëve politikë, do të jetë një pengesë serioze në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve,” tha ai.

Muharremi paralajmëron se rënia e LVV-së jo vetëm që është konfirmuar nga zhvillimet aktuale, por do të thellohet edhe më tej në periudhën e ardhshme. Ai vlerëson se qëndrimet e padrejta të kësaj partie, sidomos për sa i përket rritjes së faturave dhe çmimit të energjisë, si dhe nxitjes së inflacionit, do ta çojnë LVV-në në një rezultat shumë më të ulët në zgjedhjet e ardhshme – ndoshta edhe nën 30 për qind.

“Nëse LVV nuk ndryshon kurs dhe vazhdon me këtë sjellje politike përjashtuese dhe arrogante, ekziston mundësia reale që të mos jetë më partia e parë në vend pas zgjedhjeve të ardhshme,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/


Go to TOP