Kurti në Bruksel: Kosova ka vetëm një plan – anëtarësimin në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalë hyrëse në diskutimin e organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në Bruksel, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës, ku theksoi përkushtimin e Kosovës për integrim evropian dhe rolin e saj si demokraci e avancuar në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij, Kurti tha se pavarësisht sfidave gjeopolitike dhe burokracive të procesit të zgjerimit, Kosova mbetet e vendosur dhe e linjëzuar plotësisht me Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ai përmendi ndihmën ushtarake për Ukrainën, mbështetjen për gazetarët ukrainas dhe përparimin ekonomik dhe demokratik të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se Kosova nuk ka “plan B” përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kurti tha se Kosova ka përmbushur kriteret, ka treguar vullnet politik dhe kapacitete institucionale, dhe tani pret hapa konkretë nga BE-ja: nisjen e pyetësorit për anëtarësim dhe një opinion të bazuar në merita për statusin e kandidatit.

“Kosova është shteti më i ri i Evropës, por me zhvillim të shpejtë ekonomik dhe përkushtim të palëkundur për vlerat evropiane. Është koha që BE-ja të tregojë se edhe ajo e sheh Kosovën si pjesë të së ardhmes së saj,” përfundoi Kurti.

Në diskutim morën pjesë diplomatë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane. /Kosova.info/

Go to TOP