Kurti akuzon Vuçiqin për sabotim të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit: Radoiçiq drejton “de facto” Listën Serbe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, për përpjekje të vazhdueshme për të sabotuar konsolidimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Në një deklaratë publike, Kurti theksoi se kjo është vazhdimësi e ndërhyrjes së dokumentuar për të cilën ai dhe ministri Nenad Rashiq kishin informuar opinionin në një konferencë për media më 9 mars 2025.

Sipas Kurtit, presidenti Vuçiq ka vënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për Listën Serbe dhe për Millan Radoiçiqin, të cilin e quajti “kryeterrorist”. Radoiçiq ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe gjatë agresionit në Banjskë më 24 shtator 2023, dhe sipas Kurtit, tani është “kryetar de facto” i këtij subjekti politik.

Në shënjestër të këtyre përpjekjeve, sipas informacioneve të sigurisë të konfirmuara nga institucionet relevante, janë disa deputetë të pakicave joserbe. Kjo çështje ishte ndër temat kryesore të shqyrtuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ka përsëritur se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të mbrojtur rendin demokratik dhe integritetin e përfaqësimit parlamentar, duke theksuar se çdo përpjekje për destabilizim do të trajtohet me seriozitet dhe vendosmëri. /Kosova.info/


Go to TOP