Posta njofton për rikthimin e funksionit te pika në Zveçan ku u krye sulmi

Posta e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar për rikthimin e plotë të funksionit te zyra postare Zveçan-2, pas përfundimit të të gjitha riparimeve të nevojshme, si pasojë e dëmtimit nga sulmi i fundit.

“Me përkushtim dhe profesionalizëm, kemi realizuar restaurimin e plotë të infrastrukturës, duke përfshirë vendosjen e xhamave dhe rikonstruksionin e hapësirave të brendshme, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe funksional për të gjithë përdoruesit e shërbimeve tona”, thuhet në komunikatë.

Më tej posta njofton se ky rikthim konfirmon misionin e palëkundur për të ofruar shërbime postare të sigurta, të besueshme dhe të vazhdueshme, duke iu përgjigjur nevojave të qytetarëve me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

“Zyra postare Zveçan-2 është tashmë e pajisur me të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe ka rifilluar ofrimin e shërbimeve në sportel, duke reflektuar përkushtimin tonë për të qenë gjithmonë pranë qytetarëve, pavarësisht sfidave”, vazhdon njoftimi.

Shpërthimi kishte ndodhur pas mesnate te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan dje. Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani ka theksuar se sulmi ka shkaktuar dëme materiale. /Kosova.info/


Go to TOP