Buleshkaj: Deklarimi i pasurisë nuk është penguar
Gjatë ditë së sotme, uebfaqja e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka pasur probleme teknike, pikërisht në ditën kur është edhe afati i fundit i zyrtarëve publikë për ta deklaruar pasurinë.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Yll Buleshkaj, të gjithë zyrtarët janë njoftuar nëpërmjet postës elektronike edhe për aplikacionin që e ka ky institucion. Ndërkaq, për zyrtarët, të cilët i vonojnë apo nuk i deklarojnë pasuritë, do të ketë gjoba dhe masa të tjera të përcaktuara me ligj.
Ligji për Deklarim të Pasurisë parasheh që rreth 5 mijë zyrtarë, të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë e tyre, ata këtë deklarim duhet ta bëjnë deri hënën më 31 mars 2025, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Në të kundërtën ata do të përballen me gjoba e kallëzime penale.
Megjithatë në uebfaqen e Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit, gjatë së hënës janë evidentuar probleme. Por në një përgjigje me shkrim nga RTK, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj ka thënë se këto pengesa nuk kanë paraqitur problem në proces.
“Procesi i deklarimit të pasurisë nuk është penguar asnjë moment, pavarësisht disa ndërprerjeve të shkurtra të uebfaqes së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (www.apk-rks.net), të cilat mund të kenë ndodhur për shkak të ngarkesës. Kjo për faktin se, për arsye sigurie, sistemi i deklarimit të pasurisë nuk është i ndërlidhur me ëebfaqen, por funksionon përmes aplikacionit të dedikuar: https://e-deklarimi.rks-gov.net, i cili ka qenë operacional gjatë gjithë kohës”, tha YLL Buleshkaj drejtor në APK.
Buleshkaj ka sqaruar se në fillim të procesit, të gjithë zyrtarët publikë janë njoftuar me e-mail, për qasjen direkte në aplikacionin e deklarimit. Ai ka bërë të ditur se deri pasditen e së hënës deklarimin e pasurisë e kanë përfunduar 9 mijë e 102 zyrtarë, ndërsa 713 janë ende në proces.
Zyrtarët të cilët nuk arrijnë të deklarojnë në mënyrë të rregullt pasurinë e tyre, do t’i nënshtrohen gjobave të mëposhtme:
Nëse zyrtari i lartë ose zyrtari publik e dorëzon deklarimin e pasurisë me vonesë deri në 15 ditë, do të paguajë gjobë deri në 500 euro.
Nëse një zyrtar i lartë ose zyrtari publik e dorëzon deklarimin e pasurisë me vonesë prej më shumë se 15 ditësh ose deklaron në mënyrë të rreme pasurinë e tij/saj, Agjencia do t’ia referojë çështjen Prokurorisë dhe Gjykata mund ta dënojë zyrtarin me burgim deri në pesë vjet, ndërsa çdo pasuri e paraportuar do të konfiskohet.
Gjithashtu, Gjykata do të shqiptojë një dënim shtesë me ndalim të ushtrimit të funksionit publik nga 1 deri në 10 vjet pas vuajtjes së dënimit me burgim dhe, nëse është e aplikueshme, Gjykata mund të ndalojë të drejtën për t’u zgjedhur në post publik për 1 deri në 4 vjet.
