Kosova në Hannover Messe 2025, Kurti: Bizneset tona po rriten

Edhe këtë vit, Kosova, në kuadër të organizimit shtetëror, po shënon një hap të rëndësishëm drejt promovimit të industrisë dhe inovacionit të saj në skenën ndërkombëtare. Kompani të shumta nga sektori i teknologjisë dhe industrisë po prezantojnë potencialin e tyre në Hannover Messe 2025, një nga panairet më të mëdha të industrisë dhe teknologjisë në botë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”, tha për RTK se bizneset kosovare po rriten dhe rritja e tyre, po bëhet në dy aspekte kryesore.

“E para është nëpërmjet inovacionit dhe e dyta është nëpër mjet tregjeve të jashtme. Në katër vitet e fundit eksportet janë dyfishuar, ne edhe në vijim jemi të interesuar që diplomacia jonë ta ketë një komponentën e fuqishme ekonomike, e tregtare në mënyrë që bizneset nga Kosova të eksportojnë gjithë një e më shumë”, tha Kurti

Në edicionin e vitit 2025, afër 10 kompani, përfshirë ato nga Kosova, do të prezantojnë produktet dhe zgjidhjet e tyre teknologjike, duke kontribuar në rritjen dhe promovimin e industrisë dhe inovacionit në nivel global. Panairi ofron mundësi të mëdha për rritjen e rrjetit të kontakteve dhe për krijimin e mundësive të reja për investime dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Hannover Messe 2025 është një nga panairet më të mëdha dhe më të rëndësishme për industrinë dhe teknologjinë në botë.

Kjo ngjarje ndërkombëtare, po mbahet në qytetin Hannover të Gjermanisë, është një platformë kryesore për prezantimin e risive në fushat e industrisë, teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit. Panairi mbledh kompani dhe vizitorë nga e gjithë bota për të eksploruar mundësi të reja biznesi, bashkëpunimi dhe zhvillimi në fusha si automatizimi industrial, inteligjenca artificiale, robotika, energjia e ripërtëritshme, dhe shumë të tjera.


Go to TOP