ZRrE mohon rritjen e tarifave të energjisë, fton qytetarët në konsultim publik

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka sqaruar sot opinionin publik se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Përmes një njoftimi zyrtar, ZRRE ka theksuar se procesi për shqyrtimin e mundshëm të tarifave është në fazën e konsultimit publik, me qëllim që çdo vendim të bazohet në transparencë dhe pjesëmarrje të gjerë.

Në këtë drejtim, ZRRE ka publikuar për konsultim Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale, duke ftuar të gjithë qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset dhe palët e tjera të interesuara që të dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars 2025.

“Ky proces është një mundësi për të siguruar që çdo vendim mbi tarifat të jetë i drejtë, i balancuar dhe në interes të të gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të garantuar informim të plotë, të saktë dhe të vazhdueshëm për çdo zhvillim që mund të ndikojë në çmimin e energjisë.

Për më shumë informacione dhe për të dorëzuar komentet tuaja, ZRRE fton qytetarët të vizitojnë faqen zyrtare të institucionit. /Kosova.info/


Go to TOP