Nis mbledhja e KQZ-së, pritet certifikimi i rezultateve

Ka nisur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku në rend dite është certifikimi i rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ajo për zëvendësimin e të zgjedhurve që kanë hequr dorë nga pozita e deputetit.

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje thotë se pika që ka të bëjë me zëvendësimin është pikë që nuk u përket atyre, sepse, tha se nuk janë ata që bëjnë zëvendësime.

“Nuk bëjmë zëvendësime kur nuk kemi mandate të deputetit. Mendoj që detyrë e jona është që t’i certifikojmë rezultatet. Nëse ka kandidatë që kanë dhënë dorëheqje për një arsye apo tjetër, është mirë të shkojnë siç është procedura. Ne e bëjmë certifikimin e tek më pas ka kuptim procedura e zëvendësimeve, të cilën e kemi bërë edhe në vazhdimësi. Ne veç asamblistët i zëvendësojmë, nëse flasim proceduralisht”, tha Krasniqi.

Këtu reagoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi që tha se kjo nuk do të ishte hera e parë që do të bëhej kjo meqë raste të tilla kishte edhe në të kaluarën.

“Pikë së pari kish qenë një praktikë e njëjtë edhe në të kaluarën që para certifikimit është bërë tërheqja e kandidatit dhe është zëvendësuar, e pastaj është certifikuar me të zëvendësuarin. E dyta është se tërheqjen e kandidaturave për certifikim të rezultatit kandidatët e kanë bërë para certifikimit”, tha ai.

Por, Krasniqi insistoi se fokusi i tyre duhet të jetë  te certifikimi dhe zëvendësimi i tyre me automatizëm.

Por, Ilir Gashi nga PDK-ja tha se duke iu referuar ligjeve në fuqi, janë disa kategori institucionale që do të duhej të jepnin dorëheqje për t’u certifikuar, për të marr pozitën e deputetit.

“Edhe në këtë rast kemi të bëjmë edhe me ekzekutivin lokal dhe qendror. Ligji thotë se nuk mund të certifikohen pa u deklaruar paraprakisht për pozicionin të cilin dëshirojnë ta mbajnë. Ne nuk mund të respektojmë këtë dispozitë ligjore”, tha Gashi.

Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Bedri Hamza kanë bërë kërkesë në KQZ për heqje dore nga marrja e mandatit të deputetit. Kësisoj, Gazmend Muhaxheri zëvendësohet me Arben Gashin, Imri Ahmeti me Paris Gurin, Bedri Hamza me Rashit Qalajn.

Go to TOP