Haradinaj për njohjen nga Kenia: Ata që “shkatërruan Kosovën” po e forcojnë me njohje të reja
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si një zhvillim jashtëzakonisht të mirë njohjen e Kosovës nga Kenia duke vlerësuar kontributin e ish-presidentit Behgjet Pacolli për këtë arritje.
Në një reagim publik, Haradinaj ironizoi kritikët, duke thënë se ata që akuzohen se e kanë “shkatërruar Kosovën për 20 vjet” po vazhdojnë të punojnë për forcimin e saj, qoftë jashtë politikës apo nga opozita.
Ai bëri thirrje që të gjithë të angazhohen për të ruajtur dhe përmirësuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë duke theksuar se puna për avancimin e Kosovës duhet të jetë e pandalshme.
Haradinaj gjithashtu kritikoi ashpër disa zëra që, sipas tij, dolën hapur kundër Kosovës dhe aleatëve të saj, përfshirë administratën e Shteteve të Bashkuara dhe median vendore. /Kosova.info/
