Prestreshi: Liberalizimi i tregut të energjisë është i domosdoshëm, por duhet të ndodhë gradualisht
Ish-kreu i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka theksuar rëndësinë e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri të përcaktuar nga Kushtetuta. Megjithatë, ai paralajmëron se kalimi i menjëhershëm në një treg tërësisht të liberalizuar mund të sjellë luhatje të çmimeve dhe ndikime të drejtpërdrejta te qytetarët.
Në një deklaratë publike, Prestreshi citoi Nenin 10 të Kushtetutës, i cili përcakton ekonominë e tregut të lirë si bazë të rregullimit ekonomik të vendit. Ai shtoi se AKK, në bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka bashkërenduar veprimet për të siguruar një kalim të balancuar drejt një tregu të hapur.
Sipas Prestreshit, një qasje graduale do të ishte më e përshtatshme për të shmangur tronditjet ekonomike. Ai sugjeron një kalim fillestar në një treg gjysmë të liberalizuar, ku ZRRE dhe AKK do të mbikëqyrnin dhe do të vendosnin disa kufizime për të garantuar stabilitetin. Vetëm pas krijimit të një baze të fortë për aktorët e tregut, ai beson se mund të arrihet një liberalizim i plotë.
“Liberalizimi është i pashmangshëm dhe i nevojshëm për zhvillimin e ekonomisë, por duhet të ndodhë me një ritëm të kontrolluar, duke balancuar konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve,” përfundoi Prestreshi. /Kosova.info/
