Si u prit fillimi i bombardimeve të NATO-s në Ferizaj, 26 vjet më parë
26 vjet më parë, NATO nisi bombardimet kundër caqeve serbe në Kosovë, një moment historik që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve për popullin shqiptar.
Në Ferizaj, qytetarët kanë ndarë kujtimet e tyre me rastin e 26-vjetorit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe, disa prej të cilëve ishin edhe pjesë e UÇK-së.
Muhamet Murati, pas 26 vitesh, e kujton ende fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Ai tregon se ishte në fshatin Jezerc të Ferizajt, i rreshtuar krah luftëtarëve të lirisë, kur filluan bombardimet, një moment i shumëpritur. “Ne, shokët që ishim aty, dolëm në një breg me një pjesë ku nuk shihej shumë hapësira dhe filluam t’i shikojmë. Më kujtohet momenti kur bombat e para ranë tek antena në Golesh dhe në aeroportin e Prishtinës. Kishim dëshirë të shihnim se si po fillonin dhe ku po granatonin apo bombardonin avionët e NATO-së,” tha Murati.
Një ndjenjë e pa përshkruar ishte lajmi për fillimin e bombardimeve mbi caqet serbe, thotë Azem Xhemajli. “Ka qenë një ndjenjë e madhe e jashtëzakonshme dhe të gjithë jemi ngritur në këmbë, kemi shikuar nga dritaret e kulmit të shtëpisë, duke parë se çfarë po ndodhte, dhe kjo ishte një nga momentet më të rëndësishme të epokës shqiptare,” tha Xhemajli.
Në përkujtim të kësaj date, janë mbajtur disa aktivitete, ku është kërkuar që 24 marsi të shënohet si festë zyrtare në Kosovë.
