Bajrami: Qeveria dhe ZRRE po tallin qytetarët, KESCO e merr energjinë me 29.5 €/MWh dhe na e shet me çmim të dyfishuar

Nënkryetarja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Qeverinë dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për mosveprim dhe tallje me qytetarët në lidhje me çmimin e energjisë elektrike.

Ajo ka theksuar se KEK-u, si ndërmarrje publike, ia shet energjinë KESCO-s për vetëm 29.5 euro/MWh, ndërsa në bursën HUPX çmimi nuk bie nën 100 euro/MWh. Bajrami ka kritikuar edhe deklaratën e kryetarit të Bordit të ZRRE-së, i cili kishte thënë se qytetarët mund të kërkojnë energji më të lirë nëse nuk pajtohen me rritjen e çmimit.

“Ku mund të gjendet energji më lirë? KESCO ka marrëveshje ekskluzive për të blerë të gjithë prodhimin e KEK-ut dhe na e shet neve me çmim të dyfishuar. Operatorët privatë nuk mund ta blejnë energjinë nga KEK-u, duke na detyruar të paguajmë çmimet e larta të importit,” ka shkruar Bajrami.

Deputetja ka ngritur dy pyetje thelbësore: Për kë po punon Qeveria dhe ZRRE-ja? A po lulëzon mafia energjetike në Kosovë?

Ajo ka përsëritur qëndrimin se ngritja e çmimit të energjisë është e padrejtë dhe po rëndon qytetarët dhe bizneset, ndërsa institucionet po heshtin për këtë çështje jetike për ekonominë e vendit. /Kosova.info/

Go to TOP