Një muaj paraburgim ndaj të dyshurit për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri
Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka caktuar një muaj paraburgim për të pandehurin B.D, i dyshuar për vrasjen e një 19-vjeçari të dielën në Vushtrri.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se Gjykata ka vendosur që ai të qëndrojë në paraburgim për një muaj.
B.D dyshohet për për veprat penale “Vrasje e rendë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë duke e caktuar masën e paraburgimit, në lëndën penale kundër të pandehurit B.D., me dyshimin e bazuar për veprat penale: Vrasje e rendë sipas nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK -së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Masa e paraburgim të pandehurit B.D., i’u është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim theksohet se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Vrasja është kryer mbrëmë në Vushtrri, ndërsa i dyshuari e ka pranuar veprën penale të hënën.
