Abdixhiku në 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s: 24 marsi, fundament i lirisë dhe shtetësisë sonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 26-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë duke e cilësuar këtë datë si një moment historik për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“24 marsi i vitit 1999 na kujton momentumin e ri të Kosovës në përpjekjen e saj shekullore për liri dhe përfundimin e vuajtjeve të popullit të shtypur. Kjo datë shënoi hapjen e shtegut drejt lirisë dhe, në fund, të pavarësisë së vendit,” tha Abdixhiku.

Ai theksoi mirënjohjen e përhershme të qytetarëve të Kosovës ndaj botës perëndimore, veçanërisht ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj, të cilët përmes NATO-s i dhanë shpresë popullit të Kosovës në momentin më të vështirë.

“Këtë ditë duhet ta kujtojmë sot e përherë, sepse 24 marsi është fondament i lirisë dhe shtetësisë sonë. Mbi dy dekada më pas, përpjekja për të ndërtuar një shtet të drejtë, të fortë dhe të dinjitetshëm vazhdon. Sot, vajzat dhe djemtë e Kosovës në uniformë ushtrojnë misione paqeruajtëse nëpër botë duke nderuar të gjithë ata që mundësuan këtë ditë historike,” u shpreh ai.

Abdixhiku e vlerësoi 24 marsin jo vetëm si një ndërhyrje ushtarake kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, por edhe si lindjen e një aleance të re mes Kosovës dhe Perëndimit. Ai rikujtoi vizionin e ish-presidentit Ibrahim Rugova për Kosovën si një shtet të pavarur, sovran, të anëtarësuar në NATO dhe BE, me miqësi të përhershme me SHBA-në.

“Këtë udhërrëfim e ndjekim sot dhe ne. Jemi përjetësisht mirënjohës!” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/

Go to TOP