Mural i matematikës në nder të ditës së numrit π – krijim i nxënëseve të talentuara
Me rastin e 14 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Numrit π, një mural i mrekullueshëm, me dimensione 2.5m x 1.5m, është realizuar nga nxënëset e një gjimnazi si shenjë përkushtimi dhe dashurie ndaj matematikës.
Ky mural, i cili përshkruan periudha të rëndësishme të zhvillimit të matematikës, u punua me përkushtim nga nxënëset: Blinera Miftari (XII/2); Dora Lubishtani (XII/2); Tringë Halabaku (XII/2); Erisë Bytyqi (XII/1);
Diana Kosumaj (X/1); Verena Gashi (X/1) dhe Amelia Abdullahu (X/1).
Për katër ditë rresht, ato punuan me pasion për të sjellë këtë vepër artistike, duke e lënë si trashëgimi për shkollën dhe për gjeneratat e ardhshme.
Katër nxënëset e klasës së 12-të do të vazhdojnë studimet në universitete dhe programe ku matematika ka një rol kyç, ndërsa tre nxënëset e klasës së 10-të sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre në këtë fushë dhe pritet të japin kontribut në aktivitete të tjera matematikore.
Profesori i matematikës në FShMN, Ramadan Limani, i falënderoi dhe uroi suksese të gjitha nxënëseve për përkushtimin dhe arritjet e tyre.
“Ju lumtë për këtë iniciativë të shkëlqyer!”, ka shkruar Limani.
