Analistët: LVV do ta ketë të vështirë të krijojë qeveri të qëndrueshme
Përderisa janë shpallur rezultatet dhe pritet certifikimi i tyre, në ndërkohë partitë politike do t`u duhet të diskutojnë lidhur me koalicionet për ta arritur numrin 61, si kusht për formimin e qeverisë. Partitë opozitare, PDK, LDK, AAK, aktualisht janë kundër një koalicioni me fituesin e zgjedhjeve – Lëvizjen Vetëvendosje.
Por, nga burimet e saj, RTK mëson se ‘Nisma’ e Fatmir Limajt, po pret që nëse ka një marrëveshje me partitë opozitare për t’i bërë numrat, e nëse nuk ka, partia e tij do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, siç kanë thënë, për t’i krijuar institucionet, në mënyrë që vendi mos të shkojë sërish në zgjedhje. 61 deputetë nuk i fitoi asnjë parti në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por ky rezultat nuk i ka penguar subjektet garuese që të vendosin vija të kuqe kundrejt njëra-tjetrës, për koalicion të mundshëm.
Lëvizja Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve, duke marrë 48 deputetë, numër i pamjaftueshëm për ta bërë qeverinë e re, por prapë është shprehur kundër një koalicioni me një nga tri partitë opozitare, megjithatë është partia e Fatmir Limajt që ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni.
E tani për tani, PDK, LDK e AAK kanë qëndrim të prerë, thonë se nuk do hyjnë në qeveri me Vetëvendosjen. Por, politologu Dritëro Arifi pret që partia në pushtet ta formojë qeverinë e re, mirëpo thekson se ajo s’do të ketë stabilitet.
“Numrat për ta bërë qeverinë i ka Vetëvendosje, në sensin e asaj që të gjithë e lakmojnë pushtetin dhe kështu do të gjejë individ andej e këndej që ta bëjë qeverinë, por mendoj se numrat nuk është problemi me i bo, cilado anë, për mu problemi është përmbajtja, po vërehet që nuk ka dakordim për asgjë, prandaj mendoj se kushdo që do ta bëjë qeverinë do ta ketë të vështirë të mbijetoj”, tha Arifi.
Arifi thotë se vendit i duhet një qeveri nga parti që e tejkalojnë vetën për të mirën e përgjithshme.
E një njohës tjetër i çështjeve politike, thotë se Kosovës në këtë fazë nuk i duhet një qeveri me pak numra.
“Ka pasur edhe në të kaluarën qeveri me 61, 62 deputetë, por edhe legjislatura e fundit, kur LVV i kishte 63-64 deputetë,por nuk mbërrinte me efikasitet të qonte përpara ligje, nga përmbajtja krijonte kundërkushtetutshmëri e kundërligjshmëri që janë vërtetuar tashmë”, tha Naim Jakaj, nga Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Në mesin e këtyre paqartësive, kur nuk dihet e ardhmja e qeverisë së re të vendit dhe nëse do të ketë kompromise politike, po kalon afati për shqyrtimin e ankesave të dorëzuara në PZAP, për t`u afruar me ditën kur do të ndodhë certifikimi i rezultateve përfundimtare.
Partia e Fatmir Limajt është e vetmja nga opozita që ka lënë të hapur mundësinë për një koalicion, e cila ka thënë se nuk ka vija të kuqe sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen apo me partitë e tjera opozitare.
