E Taxi Tesla reagon ndaj inspekcionit: Gjobitja e taksive tona është e paligjshme

Kompania E Taxi Tesla sh.p.k. ka reaguar ndaj kontrolleve të shpeshta të Inspekcionit të Komunës së Prishtinës, duke denoncuar ndalimin dhe gjobitjen e disa prej veturave të saj, si dhe konfiskimin e tabelave të tyre.

Në një deklaratë për media, kompania ka sqaruar se posedon licencë për operim me 40 vetura taksi në Komunën e Prishtinës dhe ka konsideruar veprimet e inspektoratit si të paarsyeshme dhe joligjore.

“Kompania jonë është e pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme për të operuar ligjërisht. Ftojmë Drejtorinë e Inspekcionit që të mos penalizojë kompanitë e licencuara, pasi në të kundërtën do të ndjekim rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona,” thuhet në reagimin e E Taxi Tesla.

Kompania kërkon që kontrollet të përqendrohen tek taksitë ilegale, në vend që të dëmtojnë operatorët e rregullt që respektojnë ligjin dhe ofrojnë shërbime të rregulluara për qytetarët e Prishtinës. /Kosova.info/


Go to TOP