Shoqata Down Syndrome Kosova nis fushatë sensibilizuese për mbështetje financiare
Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK) ka nisur një fushatë sensibilizuese për të siguruar mbështetje financiare për shërbimet terapeutike dhe psiko-sociale që ofron për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit me sindromën Down.
Shoqata operon në pesë komuna të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – duke ofruar shërbime të drejtpërdrejta për mbi 300 individë me sindromën Down. Përveç kësaj, në nivel vendi, DSK adreson dhe mbështet çdo kërkesë të qytetarëve me këtë sindromë. Të gjitha shërbimet ofrohen pa pagesë, por përballja me kostot e larta mbetet një sfidë e vazhdueshme për organizatën.
Për këtë arsye, DSK po fton qytetarët të kontribuojnë financiarisht përmes platformës GoFundMe, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve për personat me sindromën Down. Të gjithë të interesuarit mund të dhurojnë përmes kësaj lidhjeje: https://shorturl.at/elFND.
“Mbështetja juaj do të ketë një ndikim të madh, duke ndihmuar në krijimin e mundësive për një të ardhme më të mirë për personat me sindromën Down,” thuhet në thirrjen e Shoqatës.
DSK u bën thirrje të gjithë qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve që të japin kontributin e tyre për këtë kauzë, duke ndihmuar në përmirësimin e jetës së personave me sindromën Down në Kosovë. /Kosova.info/
