Rinumërohen 13 nga 50 vendvotimet, procesi po vazhdon në QNR

Gjatë së hënës nga ora 16:00 kur edhe nisi procesi i rinumërimit të 50 vendvotimeve, sipas vendimit të KQZ-së, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 13 kuti.

“Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë. Gjatë ditës së martë do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, për RTKlive.

Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimeve.

Sipas Elezit, fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025.

“Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve”, tha ai.

Prandaj, tregoi ai, në vazhdim, KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate.

Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.


Go to TOP