Kelmendi dhe drejtues të institucioneve të Kosovës marrin pjesë në konferencën për drejtësinë penale në Slloveni
Me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë së Sllovenisë dhe Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, është duke marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Drejt BE-së – Fuqizimi i Integritetit dhe Pavarësisë së Drejtësisë Penale në Ballkanin Perëndimor”, që po mbahet në Ljubljanë të Sllovenisë.
Kjo konferencë bashkoi udhëheqës të institucioneve të drejtësisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë, agjencive ligjzbatuese, organizatave ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërisë civile për të diskutuar prioritetet dhe sfidat e përbashkëta në çështjet e sundimit të ligjit, përkatësisht forcimin e kulturës së integritetit të institucioneve, angazhimin drejtë fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtarë në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe shkëmbimin e përvojave nga fusha e drejtësisë penale.
Përveç U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës në këtë konferencë janë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, Ministrja e Drejtësisë, Drejtori i Policisë dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. /Kosova.info/
